Stuhitë godasin Ballkanin: Të lënduar në Maqedoni, dëme në Bosnje dhe Kroaci, Kosova në alarm
Stuhitë e fuqishme që përfshinë Ballkanin gjatë natës shkaktuan dëme të konsiderueshme në Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë e Kroaci, ndërsa Kosova ka shpallur alarm portokalli për mot të keq.
Vala e motit ekstrem që goditi rajonin solli erëra me fuqi uragani, reshje intensive, breshër dhe përmbytje në disa vende të Ballkanit. Autoritetet raportojnë të lënduar, dëme në infrastrukturë, bujqësi dhe ndërtesa publike, ndërsa shërbimet e emergjencës vijojnë ndërhyrjet në zonat më të prekura.
Erëra me fuqi uragani në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet më të goditura nga stuhia. Në Shtip u regjistruan erëra me shpejtësi deri në 134 kilometra në orë, ndërsa në Shkup deri në 130 kilometra në orë, shpejtësi që klasifikohen si erëra me fuqi uragani.
Numri i emergjencës 112 mori më shumë se 9 mijë telefonata gjatë natës, ndërsa autoritetet konfirmuan se 11 persona mbetën të lënduar.
Në Shkup u dëmtuan mbi 100 automjete, u rrëzuan 189 pemë dhe u raportuan dëmtime në disa institucione publike, përfshirë godinën e Presidencës, disa ministri dhe aeroportin.
Kosova në alarm portokalli
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka shpallur paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e vendit, duke njoftuar se gjatë ditës priten stuhi të forta të shoqëruara me bubullima.
Sipas institutit, në disa zona moti i keq mund të shoqërohet me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë apo pranë objekteve metalike, të mbrojnë pronën nga breshëri dhe të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullim për shkak të rrugëve të rrëshqitshme dhe dukshmërisë së kufizuar.
Dëme miliona euro në Bosnje dhe Hercegovinë
Në Bosnje dhe Hercegovinë, më e goditura ishte zona e Hercegovinës, veçanërisht rajoni i Nevesinjes. Kryetari i bashkisë, Milenko Avdaloviç, deklaroi se dëmet në sektorin e bujqësisë arrijnë në miliona marka boshnjake.
Sipas autoriteteve lokale, stuhia shkatërroi pothuajse tërësisht kulturat e patateve, qepëve, lakrave dhe pemishtet, ndërsa dëme të konsiderueshme u raportuan edhe në vreshtat e zonave Grude dhe Ljubushki.
Përmbytje në Kroaci
Edhe Kroacia u përball me mot të ashpër, veçanërisht përgjatë bregdetit të Adriatikut. Në ishullin Hvar, niveli i detit u rrit me rreth 1.5 metra, duke përmbytur shëtitoren dhe disa rrugë në Stari Grad.
Rritje e nivelit të detit u regjistrua edhe në ishujt Vis dhe Korçula, megjithatë pa shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Paralajmërim për fenomene gjithnjë e më ekstreme
Shkencëtarët paralajmërojnë se, si pasojë e ndryshimeve klimatike, fenomenet ekstreme të motit pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive në vitet e ardhshme, duke rritur rrezikun për dëme në infrastrukturë, bujqësi dhe sigurinë e qytetarëve.